Gjykata e Posaçme ka vendosur të ndajë çështjen për Aurel Zarkën, ish-kryeprokurorin e Vlorës, duke e trajtuar veçmas nga tre të pandehurit e tjerë që ndodhen ende në kërkim. Ndërkohë, ajo ka pranuar kërkesën e SPAK për kalimin në gjykim të tij, ndërsa Zarka ka kërkuar gjykim të shkurtuar.
Ish-kryeprokurori akuzohet për korrupsion dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm, pas përmendjes së emrit të tij në hetimet mbi komunikimet në aplikacionin Sky ECC.
Ndërkohë, Erjona Dautaj (ish-oficere e BKH-së), avokati Radovan Çela dhe Astrit Vladi vijojnë të jenë në kërkim, ndaj çështja e tyre është veçuar. Zarka u arrestua më 29 korrik 2024, pas kërkesës së SPAK dhe urdhrit të Gjykatës së Posaçme.
Sipas SPAK, të pandehurit dyshohen për marrje dhe dhënie ryshfeti për të ndikuar në çështje penale, përfshirë dosjen “Toyota Yaris”, e cila kaloi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda te Gjykata e Tiranës. Hetimet zbuluan se Zarka ka përdorur katër llogari në Sky ECC dhe EnchroChat, përmes të cilave ka komunikuar me Dautajn dhe të tjerë.
Një nga çështjet ku ai ka ndikuar është edhe hetimi pasuror ndaj Suel Çelës, nisur pas operacionit “Forca e Ligjit”, ku Zarka dyshohet se ka tentuar të ndikojë te prokurorët e SPAK.