Dosja “Sterilizimi”/Zbulohet emri i gjyqtarit që do të shqyrtojë çështjen ndaj ish-ministrit Ilir Beqaj dhe të pandehurve të tjerë

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka hedhur shortin për përzgjedhjen e gjyqtarit që do të shqyrtojë çështjen penale ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, dhe të pandehurve të tjerë në dosjen e njohur si “Sterilizimi”. Nga shorti u përzgjodh gjyqtari Bib Ndreca për drejtimin e këtij procesi. Data e seancës së parë do të caktohet në ditët në vijim.

Ish-ministri Ilir Beqaj akuzohet për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “grup të strukturuar kriminal”, ndërsa ka kërkuar që të gjykohet me procedurë të zakonshme, jo me gjykim të shkurtuar, duke deklaruar se synon të vërtetojë pafajësinë e tij.

Gjatë seancës së 23 janarit, Beqaj kundërshtoi akuzat e SPAK dhe i cilësoi ato politike. “Akuzat e mia i ka bërë PD. Ju dhe prokuroria nuk keni dashur të zbuloni të vërtetën,” tha Beqaj, duke pretenduar se procesi është zhvilluar me ndikime politike dhe me shkelje të të drejtave të tij.

Të pandehurit në dosjen “Sterilizimi”

Përveç Ilir Beqajt, të pandehur janë edhe:
• Klodian Rjepaj, akuzuar për vjedhje, grup të strukturuar kriminal dhe falsifikim dokumentesh
• Ilir Rrapaj, akuzuar për vjedhje me pasojë të rëndë dhe grup të strukturuar kriminal
• Marsela Serjani, akuzuar për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre
• Saimir Kadiu, akuzuar për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre
• Petref Mersini, akuzuar për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre
• Arben Gjata, akuzuar për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre
• Genc Burazeri, akuzuar për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre
• Naile Ajazi (Abazi), akuzuar për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre

Akuzat e SPAK ndaj Ilir Beqajt

Sipas SPAK, Ilir Beqaj është përfshirë në abuzime gjatë procedurës për dhënien e koncesionit për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale, një kontratë me vlerë 100 milionë euro e lidhur në vitin 2015. Beqaj dyshohet se ka favorizuar kompaninë fituese të këtij koncesioni, duke mos marrë asnjë masë për të përdorur qendrën e sterilizimit të ngritur në QSUT, e cila do të kishte qenë më e favorshme ekonomikisht.

Gjithashtu, ish-ministri nuk ka parandaluar konfliktin e interesit mes biznesmenit Ilir Rrapaj dhe ish-zv.ministrit Klodian Rjepaj, të cilët zotërojnë pjesë në kontratën koncesionare. Hetimet kanë zbuluar udhëtime të përbashkëta mes Beqajt dhe biznesmenit Rrapaj, i cili aktualisht ndodhet në burg për të njëjtën çështje.

Masat e sigurisë ndaj Beqajt

SPAK ka vendosur ndaj ish-ministrit masën e sigurisë “detyrim për paraqitje” dhe “ndalim të daljes jashtë vendit”. Beqaj është i detyruar të paraqitet një herë në javë në Byrojnë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe nuk lejohet të përdorë pasaportën për udhëtime jashtë shtetit.

Gjykata pritet të caktojë datën e seancës së parë për këtë çështje që ka ngjallur interes të madh publik. Hetimet vazhdojnë edhe ndaj personave të tjerë të përfshirë në këtë skemë abuzive, të akuzuar për veprime të kryera në kundërshtim me ligjin.