Dosja “Sky ECC” zbulon detaje të reja në Greqi, Europoli dorëzon 4500 dosje me 25 mijë mesazhe nga personazhet e krimit

Plot 4500 dosje i ka dorëzuar Europol autoriteteve greke lidhur me komunikimet në platformat e kriptuara “Sky ECC” por edhe “Encrochat” të zhvilluara në territorin e Greqisë.

Lajmi është bërë publik nga gazeta greke “Ta NEA”, sipas së cilës pritet të hidhet dritë mbi çështje që kanë të bëjnë me vrasjet, drogën, armët, gjobvënien dhe trafikun e klandestinëve.

Në këto 4500 dosje, sipas së njëjtave burime, janë rreth 25.000 mesazhe të shkëmbyera mes personazheve të krimit, ku një pjesë të rëndësishme e zënë shqiptarët.

Hetimi është kompleks dhe i gjatë, si në rastin e goditjes së një grupi shqiptaro-grek të trafikut të drogës, për të cilin u zhvilluan rreth 9 muaj hetime që përfunduan me dhjetëra arrestime pak ditë më parë.

Ndërkohë “Kathimerini” ka arritur të sigurojë dhe fotografi të shkëmbyera gjatë komunikimeve në një dosje të hetuar, që çoi në arrestimin e një oficeri grek policie dhe dy trafikantëve droge, një shqiptar e një grek.

Një nga fotot paraqet një letër ku janë të shënuar disa numra telefoni të vëna në përgjim nga anti-droga, të cilën oficeri i policisë ja dërgon në “Sky ECC” një prej trafikantëve, për ta mbrojtur nga ndonjë përfshirje e mundshme e tij në hetim.

Fotografi të tjera përfshijnë sasi droge të sekuestruara nga policia, njëra prej të cilave i përket një ngarkese të madhe me marijuanë, e cila nga paketimi duket e prodhimit shqiptar.