Dosja “Partizani”/ Shtyhet seanca për Berishën, përfundon mbrojtja e Malltezit
Seanca paraprake për ish-kryeministrin Sali Berisha, në kuadër të hetimeve për çështjen “Partizani”, është shtyrë për më 7 shkurt, në orën 13:00.
Ndërkohë, gjatë seancës së sotme, avokatët përfunduan mbrojtjen e Jamambër Malltezit, i cili ndodhet në arrest shtëpie. Po ashtu, seanca vijoi me mbrojtjen e biznesmenit Fatmir Beltashi dhe të akuzuarve të tjerë, ndërsa avokatët e shoqërive Homeplan shpk dhe Kontakt shpk paraqitën argumentet e tyre ligjore.
As Berisha dhe as Malltezi nuk ishin të pranishëm në sallën e gjyqit, por përfaqësoheshin nga avokatët e tyre mbrojtës. Hetimi i SPAK për çështjen e ish-kompleksit “Partizani” vijon, ndërsa Berisha dhe të akuzuarit e tjerë përballen me drejtësinë mbi këtë dosje.
Në fund të vitit të kaluar, Gjykata e Apelit vendosi zëvendësimin e masës së sigurisë për Berishën nga “arrest shtëpie” në “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, me paralajmërimin se mosrespektimi i saj mund të sjellë një masë më të rëndë sigurie.