Dosja Partizani/ Pesë të pandehurit njihen me mbylljen e hetimeve/Avokatët tërheqin aktet hetimore

Avokatët e të pandehurve për çështjen e ish-kompleksit “Partizani” janë paraqitur këtë të mërkurë në ambientet e SPAK për t’iu komunikuar mbyllja e hetimeve dhe për të marrë të gjitha aktet përfundimtare të kësaj dosje.

E para që mbërriti në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ishte avokatja Klodiana Gjyzari, e cila firmosi për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe financieren Andia Pustina. Më pas u paraqit avokati Klodian Skënderi, i cili përfaqëson Jamarbër Malltezin. Ai dhe avokati i Xhimi Begesë u njoftuan zyrtarisht për mbylljen e hetimeve dhe morën me vete dosjen.

Asnjë prej tyre nuk ishte i pranishëm sot në SPAK, ndërkohë që ish-kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar një konferencë për shtyp. Ndërsa biznesmeni Fatmir Bektashi ishte i pranishëm të hënën në SPAK për t’u njohur me mbylljen e hetimeve dhe për të marrë dosjen në dorë.

Kujtojmë se ish-kryeministri Berisha akuzohet për korrupsion pasiv. Dhëndri i tij Jamarbër Malltezi akuzohet për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë dhe pastrim parash. Bektashi akuzohet për korrupsion aktiv dhe pastrim parash, ndërsa Pustina e Begeja vetëm për pastrim parash. Tashmë përmbyllet ajo që njihet si afati për njoftimin zyrtar të përfundimeve të hetimeve nga SPAK për pesë personat që janë marrë të pandehur dhe u janë komunikuar akuzat.

Nga dita e sotme nis afati 10 ditor ku përfaqësuesit ligjorë të të pandehurve kanë të drejtën të sjellin memot në dyert e SPAK. Pra duke qenë se avokatët do të njihen me provat dhe faktet që disponon SPAK, do të paraqesin kundërshtimet e tyre duke vënë në dispozicion dhe duke iu bashkëngjitur dosjes hetimore edhe provat e faktet që ata vetë disponojnë në lidhje me rrëzimin e akuzave të ngritura nga SPAK.

Kur dosja të zbresë në dyert e gjykatës do të hidhet shorti elektronik që do të përcaktojë gjyqtarin e seancës paraprake, i cili do të duhet të dëgjojë pretendimet e prokurorëve dhe pretendimet e avokatëve. Mbetet për t’u parë nëse do të jenë të pranishëm pesë të pandehurit.