Dosja Partizani/ Merret e pandehur edhe financiera Andia Pustina për pastrim parash

Prokuroria e Posaçme ka thirrur sot në ambientet e institucionit për t’i komunikuar akuzën edhe financiera Andia Pustina për vepra penale ”pastrim parash” . Ajo dyshohet se ka kryer të gjitha veprimet proceduriale dhe administrative për Jamarbër Malltezin dhe Xhimi Begeja gjiate ndertime mbi toka e kompleksit “Patizani”.

Andia Pustina u paraqit se bashku me avokaten Klodiana Gjyzari. Më herët u morën të pandehur ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe ndërtuesit Xhimi Begeja dhe Fatmir Bektashi.

Ata akuzohen se kanë tjetërsuar pronat e ish-Klubit Partizani, duke shkelur një zinxhir të tërë ligjesh e procedurash, vetëm për t’ia kaluar të dyshuarit Jamarbër Malltezi.

Referuar dëshmive që ka dhënë biznesmeni Bektashi, Pustina përgatiste dokumentacionin, qoftë në aspektin juridik ashtu edhe financiare për kompaninë. “Të gjitha aktet që lidhen me aktivitetin e shoqërisë “Homeplan” si nga ana financiare dhe juridike i kanë përgatitur Andia Pustina dhe unë vetëm i nënshkruaja. Dua të sqaroj se shoqëria “Homeplan” nuk ka pasur asnjëherë arkë dhe çdo gjë, çdo veprim financiar është kryer nëpërmjet llogarive bankare. Edhe tërheqja e dividentit kryhet në të njëjtën mënyrë. Edhe në lidhje me vendimmarrjet e shoqërisë “Homeplan” unë nuk kam ndonjë rol, pra që të shpreh mendim për vendimet e shoqërisë. Unë nuk kam marrë pjesë pra në procesin e vendimmarrjes por vetëm i nënshkruaja ato që përpilonte Andia Pustina. Për nënshkrimin e çdo akti që lidhet me shoqërinë “Homeplan” unë shkoj tek zyra e Andia Pustinës, që ndodhet përballë librit Universitar dhe i nënshkruaj aty. Mua me telefonon Andia për të vajtur dhe për të nënshkruar…” – ka deklaruar më parë Fatmir Bektashi.