Dosja “Metamorfoza”/ SPAK shpall pretencën, ja sa vite burg kërkoi për ish-shefin e krimeve Dedan Gjoni dhe të pandehurit e tjerë

SPAK ka paraqitur sot në gjykatë pretencën për disa prej të pandehurve të dosjes së njohur “Metamorfoza”, një nga çështjet më të bujshme që ka goditur lidhjet e krimit me strukturat e shtetit.

Në fokus të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme ka qenë ish-shefi i krimeve në Komisariatin nr. 6 të Tiranës, Dedan Gjoni, për të cilin është kërkuar një dënim me 13 vite burg, që për shkak të gjykimit të shkurtuar ulet në 8 vite e 4 muaj.

Për të pandehurit e tjerë, SPAK ka kërkuar:

-Ismail Zeneli: 15 vite burg, që konvertohet në 10 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar.

-Bujar Ajeti: 10 vite burg, që konvertohet në 6 vite e 8 muaj.

-Adrian Cenaj: 7 vite burg, që konvertohet në 4 vite e 8 muaj.

-Besmir Murtati: 12 vite burg, që konvertohet në 8 vite.

-Albert Prenga: 12 vite burg, që konvertohet në 8 vite.

Akuza të rënda rëndojnë mbi të pandehurit, përfshirë: “Trafikimi i narkotikëve” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “Shpërdorim detyre” (për Dedan Gjonin) si dhe vepra të tjera penale.

Sipas hetimeve, ish-shefi i krimeve Dedan Gjoni dyshohet se ka ndihmuar grupin e drejtuar nga Rexhep Rapi për të organizuar një vrasje që nuk u realizua. Ai u arrestua në nëntor 2023 së bashku me ish-drejtuesin tjetër të policisë, Erzen Breçani.