Dosja “Metamorfoza”/ Shtyhet seanca për Pëllumb Gjokën, Oltian Bistrin dhe të pandehurit e tjerë, zbulohet arsyeja

Seanca gjyqësore për dosjen “Metamorfoza”, që përfshin emra të njohur si Pëllumb Gjoka, Oltian Bistri, Behar Bajri dhe të tjerë, është shtyrë për një tjetër datë.

Shkaku i shtyrjes ishte mungesa e avokatëve të dy prej të pandehurve, çka e bëri të pamundur vijimin e procesit në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Seanca e radhës është planifikuar të zhvillohet më 30 maj 2025.

Përveç avokatëve, në sallë mungonin edhe vetë të pandehurit: Pëllumb Gjoka, Behar Bajri, Edmond Preka, Astmer Bilali, Ardit Hasanbegaj, Oltian Bistri dhe Xahevahir Lita, të cilët nuk ishin të pranishëm për arsye të paqarta.

Gjykatësja Irena Gjoka, që ka në dorë çështjen, ndodhet aktualisht me leje të zakonshme dhe është zëvendësuar në trupën gjykuese nga gjyqtari i posaçëm Erjon Çela.

Dosja “Metamorfoza” përfshin një sërë akuzash të rënda për krim të organizuar, përfshirë trafikun e drogës, pastrimin e parave dhe korrupsionin.