Dosja ‘Metamorfoza’, GJKKO ndan çështjen, pranon gjykim të shkurtuar vetëm për 4 të akuzuar
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka ndarë në disa fraksione dosjen “Metamorfoza”.
Trupa gjykuese e GJKKO-së ka pranuar gjykim të shkurtuar për ish-prokurorin Xhevahit Lita, Ardit Hasanbegajn, Astmer Bilalin, por edhe për ish-shefin e Operacionales, Oltian Bistri.
Të katërt, nëse shpallen fajtor, për shkak të gjykimit të shkurtuar, do t’u ulet 1/3 e kohës së dënimit. Ndërsa të pandehurit e tjerë, Pëllumb Gjoka, Behar Bajri dhe Edmond Preka do të gjykohen sipas procedurës së zakonshme.
Vendimi u dha nga treshja e gjyqtarëve Etleva Deda, Flora Hajredinaj dhe Irena Gjoka.
Në seancën e ardhshme datë 19 maj ora 15.00, SPAK do të japë konkluzionet përfundimtare për personat që do gjykohen me procedurën e shkurtuar.
Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për një pjesë të anëtarëve të dosjes Metamorfoza, ku personat e dyshuar janë arrestuar pas bisedave në aplikacionet e koduara.
Pëllumb Gjoka, akuzohet për akuzohet për ‘Vrasje me paramendim’ të Gjin Ndoj (Boriçi), në 9 gusht të vitit 2020 në qytetin e Shkodrës, kryer në bashkëpunim atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
SPAK e akuzon Gjokën edhe për sigurimin e kushteve për të vrarë Kleant Musabelliun, Dorjan Dulin dhe Ibrahim Licin në formën e grupit të strukturuar kriminal. Gjoka akuzohet nga Prokuroria e Posaçme edhe për korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë” si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Behar Bajri, akuzohet për vrasje si edhe për sigurimin e kushteve për të kryer vrasje në dëm të Kleant Musabelliut, Dorian Dulit dhe Ibrahim Licit.
Ndërkohë ish zyrtari i policisë Ardit Hasanbegaj, akuzohet për sigurim i kushteve për vrasje të Dorian Dulit dhe Ibrahim Licit. Ish Shefi i Operacionales Oltion Bistri akuzohet për ‘korrupsion pasiv’, ‘Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete’ dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’.
Ndërkaq ish-prokurori Xhevahir Lita akuzohet për korrupsion pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë. Për personat që ende ndodhen në kërkim mes tyre edhe Ervis Martinaj, SPAK ka veçuar hetimin. Dhjetra operacione janë bërë për gjetjen e Martinaj, por deri tani nuk kanë arritur në asnjë konkluzion zyrtar në lidhje me fatin e tij. Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit të vitit 2022.