Dosja e aferës Partizani në GJKKO, gjyqtarja Davidhi cakton për seancën paraprake brenda 10 ditësh

Pas katër vitesh hetime për aferën Partizani, SPAK ka dërguar dosjen me 5 të pandehur në GJKKO, ku kërkon nisjen e gjykimit për ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin Jamarbër Malltezi, biznesmenët Fatmir Bektashi dhe Xhimi Begeja, si edhe financieren Andia Pustina. Flojera Davidhi është gjyqtarja e seancës paraprake që do të vlerësojë nëse dosja kalon ose jo për gjykim.

Kjo është hera e parë që një ish-kryeministër dërgohet për gjykim, ndërsa ndaj tij rëndon akuza e korrupsionit pasiv. Përfaqësuesit e akuzës, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai, dorëzuan të martën e 15 tetorit materialin në gjykatë me 333 fashikuj. Ditën e sotme, në orën 09:00, Gjykata e Posaçme hoshi shortin për të caktuar trupën gjykuese për dosjen ‘Partizani’.

Në listën e 10 gjyqtarëve nuk ishte emri i Irena Gjokës. Kjo e fundit ka qenë trupë gjykuese prej tetorit të vitit të kaluar, ku ka miratuar edhe masat e sigurisë, ndërsa ligji përcakton se nuk duhet të jetë më pjesë e procesit.

Tashmë kjo është përballja e parë reale e Berishës dhe Malltezit me drejtësinë shqiptare. Nëse gjyqtari pranon aktet e dosjes së SPAK, atëherë gjyqi cilësohet i hapur dhe nis shqyrtimi në themel me seanca në vijim dhe trup gjykuese.

Ish-kryeministri është i pandehur për korrupsion pasiv dhe akuzohet se lejoi një zinxhir të tërë institucionesh që të shkelnin ligjin për “mosndryshimin e destinacionit të terreneve sportive” dhe se “terrenet sportive nuk privatizohen”, duke ua kthyer ish-pronarëve, mes tyre edhe dhëndri i tij, i pandehur për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë dhe pastrim parash.

Biznesmeni Fatmir Bektashi është i pandehur për “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”, Xhimi Begeja, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i ‘Homeplan’ dhe Andia Pustina, financiere që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan janë në akuzë për pastrim parash.

Dosja ‘Partizani’, të pandehur
Sali Berisha ish kryeministri – akuzohet për “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, me Jamarbër Malltezin parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.
Jamarbër Malltezi – dhëndri i ish kryeministrit – akuzohet për  “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Sali Berishën pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin e ish Kryeministrit, ka arritur të marrë përfitimet e parregullta! Akuzohet dhe per “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal
Fatmir Bektashi – Ndërtuesi akuzohet  “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe ‘pastrim parash’
Xhimi Begeja- Ortaku i Malltezit, trashegimtar i tokës dhe bashkëpronar i ‘Homeplan’  akuzohet për ‘Pastrim Parash’
Andia Pustina – Financierja që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan sh.p.k –  Akuzohet për ‘Pastrim Parash’