“Dorina nuk jeton më…” – aksidenti tragjik i merr jetën nënës shqiptare në Itali, vajza 9-vjeçare mes jetës dhe vdekjes

“Grua e mrekullueshme, dha gjithçka për komunitetin” – qyteti italian vajton Dorina Bardhin, shqiptarja që humbi jetën në një aksident tragjik.

Një ngjarje tragjike ka tronditur komunitetin shqiptar dhe atë italian në Truccazzano, pranë Milanos, ku një 46-vjeçare me origjinë shqiptare, Dorina Bardhi, humbi jetën në një aksident të rëndë automobilistik. Lajmi është konfirmuar nga mediat italiane, të cilat raportojnë se përplasja ndodhi pasditen e së premtes, në rrugën provinciale Cassanese, në zonën e Pozzuolo Martesana.

Sipas “Il Giorno” dhe burimeve të tjera vendase, Dorina Bardhi udhëtonte me makinën e saj tip Opel Meriva, së bashku me vajzën 9-vjeçare, kur ndodhi përplasja fatale. Automjeti i saj u përplas kokë më kokë me një kamion që vinte në drejtim të kundërt. Përplasja rezultoi vdekjeprurëse për Dorinën, e cila humbi jetën menjëherë në vendin e ngjarjes. Vajza e saj e vogël u dërgua me urgjencë në spitalin e Bergamos, ku ndodhet në gjendje kritike dhe po lufton për jetën.

Mediat italiane raportojnë se dinamika e aksidentit po hetohet ende nga Policia Vendore e Bashkimit të Bashkive Adda Martesana, nën drejtimin e komandantit Salvatore Guzzardo. Sipas të dhënave të para, makina e Dorinës dyshohet se ka rrëshqitur në rrugë dhe është përplasur me mjetin e rëndë, çka çoi në deformimin total të automjetit.

Dorina Bardhi ishte një emër i njohur për komunitetin lokal në Truccazzano dhe në veçanti në Albignano, ku jetonte prej vitesh me bashkëshortin dhe tre vajzat e saj. Mediat italiane citojnë banorë lokalë të cilët e përshkruajnë atë si “një grua të mrekullueshme, të përkushtuar ndaj familjes dhe komunitetit”, e angazhuar në shoqata, famulli dhe organizime për fëmijët.

“Dorina ishte gjithmonë e pranishme, entuziaste, e qeshur, e gatshme për të ndihmuar dhe për të marrë pjesë në çdo veprimtari të komunitetit”, shkruajnë mediat.

Ngjarja ka sjellë një valë trishtimi dhe solidariteti në zonë, ndërsa autoritetet italiane vijojnë hetimet për të përcaktuar me saktësi shkaqet e aksidentit të rëndë që i mori jetën nënës shqiptare dhe vuri në rrezik jetën e vajzës së saj të vogël.