Dopieta ndaj Andorrës e fut në histori, Rey Manaj në ndjekje të “bomberave” të Kombëtares

Nëntë muaj zgjati pritja e Rey Manaj për tu rikthyer sërish tek goli me kombëtaren shqiptare.

Lushnjari tregoi se është një prej futbollistëve më në formë në këtë pikë të sezonit, teksa shënoi dy herë në fitoren që kuqezinjtë regjistruan ndaj Andorrës. Performancë e vlerësuar me notën 8 nga ana e specialistëve, teksa e fut në historinë e golashënuesve të Kombëtares.

Tashmë Manaj ka shkuar në kuotën e 10 golave me fanellën kuqezi në 40 ndeshje të luajtura deri më tani. Ndaj Andorrës, 28-vjeçari barazoi me gola Igli Taren dhe Sokol Kushtën, të cilët kanë kuotë të njëjtë golash.

Ndërkohë nga krahu tjetër “kërcënon” dy “bomberat” e tjerë kuqezi. Hamdi Salihi dhe Altin Raklli ndodhen në kuotën e 11 golave, realizim që Manaj do ta kërkojë ta bëj pikërisht në ndeshjen e ardhshme, ndoshta atë ndaj Serbisë më 7 qershor në “Arenën Kombëtare”.