“Donte të më takonte natën, sillte dhe briosh” – Zbardhen mesazhet që Mark Samson i dërgonte një tjetër vajze pas vrasjes së Ilaria Sulës

Detaje të reja tronditëse janë zbuluar nga emisioni “Chi l’ha visto” në Rai3, në lidhje me vrasjen e 22-vjeçares shqiptare Ilaria Sula nga ish-i dashuri i saj filipinas, Mark Samson. Një vajzë tjetër, studente, ka rrëfyer për emisionin bisedat që kishte pasur me Markun, përpara dhe pas krimit, duke zbuluar një sjellje shqetësuese dhe këmbëngulëse nga ana e tij.

Sipas dëshmisë së vajzës, Marku e kishte kontaktuar nëpërmjet chat-it dhe i ishte prezantuar si dikush që po kalonte një periudhë të vështirë dhe kërkonte të njihte njerëz të rinj. “Ai më tha se po kalonte një kohë të keqe dhe donte të bënte miq të rinj”, tregoi ajo.

Por mesazhet ishin të shpeshta dhe gjithnjë e më këmbëngulëse. Një ditë para vrasjes së Ilarias, më 25 mars, Marku i kishte dërguar asaj disa foto, përfshirë një të bërë në zonën Furio Camillo, ku jetonte vajza, duke e pyetur nëse kishte ndonjë shok dhome dhe kërkonte vazhdimisht një takim.

“Ai donte të vinte në shtëpinë time, më shkroi se do të sillte një briosh dhe më pyeti: ‘A mund të qëndroj me ju?’”, tregoi vajza, e cila shtoi se kishte gënjyer se i dashuri i saj ishte në shtëpi për ta trembur.

Pavarësisht se nuk po i përgjigjej më, Marku vijonte t’i dërgonte mesazhe dhe ta telefononte, ndërkohë që tashmë kishte vrarë Ilarian. Madje, më 27 mars, ai po përdorte telefonin e viktimës për të dërguar mesazhe miqve dhe të afërmve të saj, ndërkohë që përpiqej të organizonte takime me vajzën tjetër.

“Kur një shoqe më tha se ai ishte ish-i dashuri i Ilarias, mendimi im i parë ishte: ‘Kjo mund të më kishte ndodhur mua’”, u shpreh ajo, duke kujtuar frikën që ndjeu.

Një tjetër episod shqetësues ishte kur një natë, pasi vajzës i ishte fikur telefoni, Marku e priti në dalje të metrosë Furio Camillo me makinë, duke i ofruar të karikonte telefonin në automjetin e tij.