“Donte të më helmonte fëmijët”/ Vrasja e shqiptares nga ish-bashkëshorti në Itali, zbardhet dëshmia tronditëse

Një ngjarje e rëndë tronditi mbrëmjen e së shtunës qytetin e Tolentino-s, në zonën e Maceratës, Itali, ku një grua shqiptare u vra në mënyrë makabre nga ish-bashkëshorti i saj. Viktima është Gentiana Kopili, 45 vjeçe, e cila u qëllua për vdekje me thikë nga Nikollaq Hudhra, 55 vjeç, gjithashtu me origjinë shqiptare, banues në Perugia dhe me profesion fermer.

Sipas të dhënave të deritanishme të hetimeve, Hudhra kishte kaluar pjesën më të madhe të ditës me djalin e tyre 21-vjeçar, Mario. Më pas, ai kishte marrë një skuter për të shmangur vëmendjen, pasi, sipas tij, viktima do ta njihte makinën e tij. Ai udhëtoi drejt qendrës së fshatit dhe e priti ish-bashkëshorten pranë rrugës Benadduci, ku ndodhi edhe sulmi fatal.

Gentiana, e cila punonte si kujdestare, po fliste në telefon me një mik në momentin kur u sulmua nga pas. Hudhra e goditi me thikë rreth 10 herë me një armë prerëse me gjatësi rreth 30 centimetra, të cilën e kishte fshehur nën rrobat e punës. Pasi e rrëzoi në tokë, ai e goditi edhe me shqelma në trup. Pamjet e ngjarjes u regjistruan nga disa banorë të zonës, të cilët panë gjithçka nga dritaret e shtëpive të tyre.

Pas krimit, autori qëndroi ulur në një stol pranë trupit të pajetë të Gentianës dhe nuk tentoi të largohej. Ai u tha dëshmitarëve të tronditur: “Bëra atë që duhej të bëja, tani telefononi policinë.” Forcat e rendit mbërritën shpejt dhe e arrestuan në vendngjarje.

Në dëshminë e tij të parë, Hudhra e pranoi krimin dhe tha se e kishte planifikuar për të “shpëtuar fëmijët e tij”. Ai pretendoi: “Donte të helmonte fëmijët dhe mua. Unë duhej t’i shpëtoja.” Sipas tij, kjo ishte hera e tretë që përpiqej të vriste ish-bashkëshorten.

Gjatë kontrollit në makinën e Hudhrës, policia gjeti edhe disa thika të tjera, përfshirë një që ishte mbështjellë në një qese plastike e fshehur nën tutat e tij të punës. Prokuroria e Maceratës ka ngritur ndaj tij akuzën për vrasje të paramenduar, të rënduar nga mizoria dhe nga fakti që viktima ishte grua. Autoritetet po shqyrtojnë mundësinë e kërkimit të një ekspertize psikiatrike për të vlerësuar gjendjen mendore të autorit.

Nikollaq Hudhra aktualisht ndodhet në izolim në burgun Montacuto të Ankonës. Seanca për masën e sigurisë pritet të zhvillohet mes ditës së hënë dhe të martë. Sipas autoriteteve, Gentiana Kopili nuk kishte dhënë shenja të menjëhershme që mund të sinjalizonin se ishte në rrezik, pasi vijonte jetën e saj të zakonshme si punonjëse kujdestare.