“Donte të më fuste në kurth” – Mark Samson tentoi të implikonte një djalë të panjohur në vrasjen e Ilaria Sulës: Më përdori për të fshehur krimin

Hetimet për vrasjen brutale të 22-vjeçares shqiptare, Ilaria Sula, po zbulojnë detaje gjithnjë e më tronditëse, ndërsa ish-i dashuri i saj, Mark Samson, tashmë ka pranuar autorësinë e krimit të rëndë. Por ajo që ka dalë në dritë së fundmi, është përpjekja e tij për të implikuar një person të pafajshëm, një djalë që Ilaria kishte njohur vetëm pak ditë më parë përmes rrjeteve sociale.

Sipas mediave italiane, i riu me origjinë nga Campania, por banues në Romë, ka dalë publikisht për të mohuar çdo lidhje me krimin dhe për të dëshmuar sesi Samson e përdori fytyrën e tij për të krijuar një alibi të rreme, me qëllim që të shmangte dyshimet pas zhdukjes së Ilaria-s.

“Ajo foto është e imja,” – tregon ai, duke sqaruar se kishte biseduar shkurt me Ilaria-n në Tinder më 24 mars, vetëm dy ditë para se ajo të vritej, por nuk kishin pasur asnjë kontakt më pas. “Ishte një bisedë e zakonshme, si shumë të tjera që mbeten të hapura. Nuk më bëri përshtypje që nuk folëm më.”

Pas vrasjes, Mark Samson përdori telefonin e viktimës për të shkruar mikeshave të saj dhe për të pretenduar se ajo kishte udhëtuar drejt Napolit me një djalë të njohur rishtazi – pikërisht me të riun nga Tinder, duke përdorur edhe foton e tij. Në këto mesazhe, Samson shpiku se ata ishin afruar dhe kishin pasur marrëdhënie intime, për të krijuar një skenar mashtrues që do të largonte dyshimet nga vetja.

“Mark u përpoq të më fuste në kurth,” – shprehet i riu, i cili thekson se nuk e ka takuar kurrë Ilaria-n dhe se në kohën kur ajo u vra, ai ndodhej në punë në Romë. “Samson njollosi fytyrën time pa asnjë arsye. Më përdori për të fshehur një krim.”

Sipas dëshmisë së tij, as Ilaria dhe as Mark nuk dinin gjë reale për të, dhe ai ka bashkëpunuar menjëherë me autoritetet, duke dhënë çdo informacion të mundshëm për të sqaruar situatën.

Ndërkohë, Mark Samson, i cili ka pranuar se e vrau Ilaria-n me thikë në banesën e tij dhe më pas e hodhi trupin në një greminë të futur në valixhe, ka kërkuar që të merret sërish në pyetje nga prokurorët përmes avokatëve të tij.