“Donte të bëhej oficere policie”/ Vrasja e 14-vjeçares nga ish-i dashuri, flasin mësuesit dhe shokët: Nuk e linte të merrte frymë

Një ngjarje tronditëse ka goditur Italinë, ku një vajzë vetëm 14 vjeç, Martina Carbonaro, është vrarë brutalisht nga ish-i dashuri i saj, Alessio Tucci. Ngjarja ka shkaktuar një valë reagimesh dhe dhimbje të thellë në komunitetin shkollor dhe shoqërinë italiane.

Në shkollën “Andrea Torrente”, ku Martina ndiqte mësimet, klasat janë mbushur me lule dhe heshtje. Në murin ku dikur ajo kishte shkruar me ngjyra fjalët “Të dua Alessio”, sot ndodhen buqetat që shokët dhe mësuesit kanë sjellë për të nderuar kujtimin e saj.

Martina ëndërronte të bëhej oficere policie. Sipas mësueses së saj të italishtes, Michela Pascià, ajo ishte një vajzë e dashur, e buzëqeshur dhe e ëmbël, por e kishte ndier të shpërqendruar ditën e fundit që u panë. “E pyeta nëse kishte ndonjë problem dhe më tha me buzëqeshje se gjithçka ishte në rregull. Ishte hera e fundit që e pashë,” rrëfen ajo për “La Repubblica”.

Një nga shoqet e klasës së Martinës ka treguar se vajza e kishte lënë Alession pasi i kishte thënë se ndjenjat kishin ndryshuar, por ai nuk e kishte pranuar ndarjen. Sipas dëshmive të bashkëmoshatarëve dhe mësuesve, Alessio shfaqte sjellje jashtëzakonisht xheloze, ishte i mbyllur dhe nuk komunikonte me askënd kur ishte pranë Martinës.