Donald Trump uron Papa Leonin XIV: Nder i madh për Amerikën, mezi pres ta takoj!
Presidenti Donald Trump ka uruar kardinalin amerikan Robert Francis Prevost për zgjedhjen e tij si Papa i ri i Kishës Katolike, i cili do të mbajë emrin Papa Leon XIV. Në një postim në platformën Truth Social, Trump theksoi rëndësinë e këtij momenti, duke e cilësuar si një nder të madh për Shtetet e Bashkuara, pasi Prevost është papa i parë amerikan në histori.
“Urime kardinalit Robert Francis Prevost, i cili sapo u emërua Papë. Është një nder i madh të kuptosh se ai është Papa i parë amerikan. Çfarë emocioni, dhe çfarë nderi i madh për vendin tonë,” shkroi Trump. Ai shprehu gjithashtu entuziazmin për të takuar Papa Leon XIV: “Mezi pres të takoj Papa Leon XIV. Do të jetë një moment shumë domethënës!”