Ish-presidenti amerikan Donald Trump ka ngjallur sërish polemika pas publikimit të një fotoje nga gazeta prestigjioze New York Post, ku Kanadaja dhe Groenlanda shfaqen si pjesë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në postimin e tij, Trump ka përsëritur idenë se është në interes të SHBA-ve që Kanadaja të bëhet “shteti i 51-të”, duke e cilësuar kufirin mes dy vendeve si një “linjë artificiale”.
Trump ka shprehur pakënaqësi për marrëdhëniet tregtare mes SHBA-ve dhe Kanadasë, duke kërcënuar me vendosjen e një dogane prej 25% për importet nga Kanadaja. Ky veprim, sipas tij, do të “rregullojë pabarazitë ekonomike” mes dy vendeve, pasi Kanadaja eksporton 75% të mallrave dhe shërbimeve të saj në SHBA.
Ambicia për Groenlandën
Ish-presidenti republikan ka rikthyer gjithashtu interesin e tij për Groenlandën, një territor autonom i Danimarkës. Ai e ka cilësuar Groenlandën si një aset strategjik dhe ka kërkuar kontrollin mbi këtë territor, duke nxitur reagime të ashpra nga vendet e Bashkimit Evropian.
Deklaratat e Trump për ndryshimin e kufijve dhe përfshirjen e territoreve si Kanadaja dhe Groenlanda në SHBA kanë ngjallur reagime të ashpra në arenën ndërkombëtare. Franca dhe disa vende të tjera të BE-së kanë deklaruar se nuk do të lejojnë që kufijtë e Evropës të preken.
Edhe pse ideja e Trump për zgjerimin e territorit të SHBA-ve nuk është e re, deklaratat e tij të fundit kanë risjellë në qendër të vëmendjes ambicien e tij për të ndryshuar marrëdhëniet ndërkombëtare dhe balancat politike. Ekspertët paralajmërojnë se këto lëvizje mund të shkaktojnë tensione të reja mes SHBA-ve dhe aleatëve të saj.