Donald Trump nga Shtëpia e Bardhë: Do t’i jap fund luftës në Ukrainë, askush nuk luan me mua
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar se do të punojë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke theksuar besimin e tij se ekziston një mundësi reale për arritjen e një marrëveshjeje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës.
Gjatë një deklarate nga Shtëpia e Bardhë, Trump tha se “e gjithë jeta e tij ka qenë një negociatë e madhe” dhe se ai e kupton shumë mirë kur dikush përpiqet të luajë me Shtetet e Bashkuara.
“Unë e di kur njerëzit luajnë me ne dhe kur jo,” u shpreh presidenti amerikan. I pyetur nëse mendonte se Rusia po përpiqej të manipulonte SHBA-në, Trump u përgjigj prerazi: “Askush nuk po luan me mua. Unë po përpiqem të ndihmoj.”
Presidenti Trump shtoi më tej: “Dua t’i jap fund asaj lufte. Mendoj se e shoh atë entuziazëm… mendoj se e shoh nga të dyja palët.” Ai përmendi gjithashtu se ekziston një “shans vërtet i mirë për të arritur një marrëveshje”.