“Doli nga SPAK si rilindas”/ Meta akuzon ish-bashkëpunëtorin, Braimllari: Emri im s’të mbulon hallet me drejtësinë!

Një përplasje ka nisur mes kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, dhe ish-nënkryetarit të kësaj force, Endrit Brahimllari, i cili në zgjedhjet e fundit kandidoi për Partinë Socialiste në Tiranë.

Për herë të parë, Meta ka hedhur akuza të drejtpërdrejta ndaj Brahimllarit, duke e quajtur një nga personat kyç në aferën e lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – një çështje për të cilën Meta është tashmë nën hetim nga SPAK.

Sipas Metës, firmosja e kontratës së lobimit është bërë nga Endrit Brahimllari, ndërsa korrespondenca shumëvjeçare me kompanitë lobuese është mbajtur nga kushëriri i tij, Eriol Brahillari. Ish-presidenti shpreh dyshime për mënyrën se si është zhdukur e gjithë arkiva dhe komunikimi zyrtar pas largimit të Eriol Brahillarit nga posti i drejtorit të kabinetit.

“Personi i dytë besoj që duhet pyetur është z. Eriol Brahillari, i cili në dijeninë time ka mbajtur për 10 vitë gjithë korrespodencën me kompanitë e lobimeve edhe me e-mail. Për fat të keq, pas largimit të tij nga detyra si drejtor kabineti, çuditërisht nuk ka lënë asnjë arkiv apo gjurmë. Besoj që në hetimet e SPAK për lëvizjet e kompanive, emri i tij është pothuajse kudo,” – shkruan Meta.

Në deklaratën e tij, Meta nuk kurseu as ironitë ndaj Endrit Brahimllarit, duke e quajtur “rilindas”:

“Çuditërisht, Endriti pasi hyri tek SPAK-u si përfaqësues i PL, doli si ‘rilindas’ i Edi Ramës dhe u fut edhe në listën e PS për kandidat për deputet në Tiranë.”

Nga ana tjetër, Endrit Brahimllari ka reaguar shkurt, duke i konsideruar akuzat si të tejkaluara dhe të trajtuara më parë nga drejtësia. Ai thekson se emri i tij nuk mund të përdoret për të shmangur problemet e Metës me drejtësinë.

“Kjo është një çështje e ezauruar për mua që në vitin 2023. Nuk komentoj çështje që i takojnë drejtësisë. Emri i Endrit Braimllari nuk mund të mbulojë dot hallet që kanë me drejtësinë,” – deklaron ai.