Doli në dosjen ‘Ura’, vëllai i truprojës së Berishës një ndër furnizuesit e heroinës nga Shqipëria në Itali! Përgjimet që zbuluan Redi Tushën

Emri i Redi Tushës, vëllai i Ervis Tushës – truprojë e njohur e Sali Berishës – del në dritë si një nga figurat kyçe në trafikun ndërkombëtar të heroinës nga Shqipëria drejt Italisë, sipas dosjes së hetimeve të operacionit antimafia “Ura” të autoriteteve italiane.

Sipas dosjes, Tusha ishte në kontakt të drejtpërdrejtë me Gerti Aliun, një ndërmjetës mes trafikanëve shqiptarë dhe grupit kriminal italian të drejtuar nga Erigels Presi. Nga përgjimet ambientale dhe telematike rezulton se Redi Tusha ishte personi që siguronte heroinën në Shqipëri dhe organizonte dërgimin drejt Italisë.

Bisedat e përgjuara, që datojnë që nga tetori i vitit 2021, mes Presit dhe Telollarit, e më pas me Gerti Aliun, kanë zbuluar se Redi Tusha përmendej me emër të plotë dhe shihej si furnizuesi kryesor i heroinës. Përmendjet janë përforcuar edhe nga një video-telefonatë ku Tusha shihej bashkë me Aliun.

Më 11 nëntor 2021, ai është takuar fizikisht në Bari me anëtarë të grupit kriminal italian, në parkingun e qendrës tregtare “Mongolfiera”. Lëvizjet e tij janë monitoruar nga policia, pasi kishte mbërritur me një automjet tip “Range Rover” me targë shqiptare “AB001SB”. Të dhënat e sistemit TIMS dhe kompanive të trageteve provuan udhëtimet e tij të shpeshta midis Shqipërisë dhe Italisë në periudhën e trafikut.

Referencat e shumta për Redi Tushën në dosje, përfshirë bisedat e koduara dhe takimet e drejtpërdrejta me drejtuesit e trafikut në Itali, e vendosin atë si një hallkë kyçe të rrjetit kriminal që furnizonte me drogë grupin e Erigels Presit.