Doli e plagosur në ballkon, por bashkëshorti e tërhoqi brenda dhe e masakroi me thikë! Detaje nga krimi i dyfishtë në familjen shqiptare! Çifti, prindër të dy fëmijëve

Detaje tronditëse kanë dalë në dritë nga vrasja e një 44-vjeçareje shqiptare nga bashkëshorti i saj në Sindos të Selanikut. Pas krimit, autori, 53 vjeç, i dha fund jetës duke u hedhur nga ballkoni i banesës.

Sipas mediave greke, gruaja e plagosur kishte dalë në ballkon, e gjakosur nga goditjet me thikë të bashkëshortit të saj, por ai e tërhoqi sërish brenda dhe e goditi për vdekje. Viktima kishte plagë të shumta në bark dhe qafë, ndërsa ndërroi jetë nga gjakderdhja e madhe.

Pas krimit, 53-vjeçari u hodh nga ballkoni dhe, ndonëse mbeti i plagosur rëndë, ndërroi jetë gjatë transportit për në spitalin Papanikolaou.

Çifti shqiptar ishin prindër të dy fëmijëve, një vajzë 16-vjeçare dhe një djalë 21-vjeçar. Në momentin e ngjarjes, fëmijët nuk ndodheshin në shtëpi, pasi vajza ishte në shkollë.

Policia greke po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të motiveve të kësaj tragjedie familjare.