DOKUMENTI/ Kryebashkiakja e komanduar e Tiranës shkarkon zëvendësen e Veliajt dhe drejtorin juridik të Bashkisë
Kryetarja e komanduar e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani ka shkëputur nga bordoroja financiare e këtij institucioni zëvendës-kryetaren e Bashkisë, Sara Goxhaj dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Drejtorisë së Përgjithshme juridike të Aseteve dhe Licensimit, Alban Dokushi.
REPLIKE.AL ka siguruar dokumentin.
Shkresat mbajnë datën 20 Mars dhe janë firmosur nga Anuela Ristani.
Në vend të Alban Dokushit, në postin e Sekretarit të Përgjithshëm është emëruar Jonida Halili. Këto ndryshime u raportuan që një ditë më parë nga mediat, të cilat ishin urdhëruar nga Edi Rama, pas përplasjeve që pati në Bashkinë e Tiranës me Dokushin dhe Goxhaj.
Alban Dokushi është një nga njerëzit më të afërt të Erion Veliajt, pasi kujtojmë se ka qenë i pari që e ka vizituar atë në qelitë e paraburgimit tek Blloku i Sigurisë tek Mine Peza, pas arrestimit të tij më 10 Shkurt. Gjithashtu, Dokushi e ka shoqëruar Veliajn në SPAK edhe kur dëshmoi herën e parë.
Pas arrestimit të Erion Veliajt në media u raportua se ai ishte caktuar administrator për punët e Bashkisë, teksa tre ditë më parë (18 Mars) ai dëshmoi edhe në SPAK në lidhje me takimet në qeli që ka bërë me kryebashkiakun.