Zbulohet dokumenti! FSHZH pa sinjalistikë në kantier, shteti “paguan” 500 mijë € gjobë për një aksident

Nga: Armand Xhelili

Një vendim gjyqësor që detyron shtetin të paguajë 500 mijë euro për një aksident pa pasoja për jetën ka ngjallur indinjatën e Kryeministrit Rama, i cili 2 ditë më parë e cilësoi “gafë” të drejtësisë.

“Kemi humbur një gjyq në Apel ku i kërkohet shtetit të paguajë 500 mijë euro për një përplasje me makinë 8 vite më parë, ku nuk ka pasur as të vdekur e të plagosur, por shoferi me bashkëshoferen kanë pasur vizionin të hedhin shtetin në gjyq për rrezikun e jetës. Vendimi është marr brenda një dite dhe shteti është goditur me 500 mijë euro”, tha Rama.

Vendimi për të cilin Rama akuzon drejtësinë është dhënë nga gjyqtari i Vlorës, Hektor Sinanaj në Dhjetor të 2020 dhe është lënë në fuqi edhe nga gjyqtarja e Apelit në Tiranë, Marsela Dervishi gjatë këtij muaji.

Bëhet fjalë për një aksident të ndodhur në Gusht të 2017-ës, në kantierin e rrugës Vlorë –Peshkëpi, ku u përfshinë 6 gra, të afërme me njëra-tjetrën. E plagosur mbeti Eglantina Demiraj, pasagjere e vendit të parë, ndërsa të tjerët shpëtuan pa lëndime. Makina që drejtohej nga Nikoll Kacaj doli nga rruga e përfundoi në kanal.

Në vendimin e Gjykatës së Vlorës, që Report TV ka arritur të sigurojë, thuhet se e plagosura Eglantina Demiraj, ka pësuar dëmtime në shtyllën kurrizore, vështirësi në lëvizjen e këmbëve, që sjellin humbje të aftësisë së përkohshme për punë. Aksidenti, sipas gjykatës, ka ardhur si pasojë e punimeve që po kryheshin në rrugë dhe mungesës së sinjalistikës.

Pala e paditur, dhe që sipas vendimit të gjykatës do të duhet të paguajë dëmshpërblimin, është Fondi Shqiptar i Zhvillimit, pavarësisht se punimet në rrugë i ishin besuar një kompanie private. Në vendimin e argumentuar të Gjykatës së Vlorës, shpallur më 24 Dhjetor 2020, faji bie mbi Fondin, pasi “Leja e Ndërtimit ka dalë në emër te këtij institucioni, dhe se ai konsiderohet përgjegjës për zhvillimin e projektit, mbikëqyrjen dhe zbatimin e tij. Për pasojë, çdo dëm i shkaktuar palëve të treta, nga përdorimi i këtij segmenti rrugor, është vlerësuar si një barrë që duhet ta mbajë enti shtetëror.