DOKUMENTI/ Central energjie 120 milionë euro për ruajtjen e rezervave! 25 projekte për energjinë me vlerë 3.1 miliardë €
Tjetër hap i rëndësishëm për ta kthyer Shqipërinë në një eksportues neto të energjisë elektrike”, tha kryeministri Edi Rama më 21 qershor 2021. Jo vetëm energji nga uji, dielli, era apo hibride, por për të arritur synimin e qeverisë që vendi të jetë eksportues neto i energjisë deri në 2030-ën, duhen edhe kapacitete ruajtëse. Për këtë arsye qeveria planifikon të ndërtojë një central për ruajtje të energjisë elektrike. Vlera e këtij investimi përllogaritet të jetë 120 milionë euro edhe pse ende nuk ka një projekt zyrtar se ku do të ndërtohet.
Ky vendim vjen për shkak se vendi ka mbiprodhim të energjisë gjatë stinës së dimrit, dhe energjinë e eksporton me çmim të ulët, pasi nuk ka kapacitete ruajtëse, ose në rastin më të keq hapen portat e hidrocentraleve që tej mbushen me ujë.

Për të diversifikuar prodhimin e energjisë, në mënyrë që të shkëputet varësia nga reshjet, në vend është investuar në parqe fotovoltaike si ai i Karavastasë, Spitallës apo parqe eolike ose hibride, e deri tek TEC-et lundruese në Vlorë.
Por mesa duket këto nuk mjaftojnë për të fuqizuar Shqipërinë edhe në sektorin energjetik. Në dokumentin e politikave prioritare të qeverisë janë 25 projekte energjetike në plan, me vlerë mbi 3.1 miliardë euro.
Projekti më i kushtueshëm në listën e investimeve të qeverisë është ai hidrocentralit të Skavicës me vlerë 800 milionë e 50 mijë euro i cili është ende në fazë studimi, dhe projekti për linjën e re të interkonjeksionit nënujor Vlorë-Brindisi me vlerë 310 milionë euro.
Po ashtu planifikohet të ndërtohen të tjera impiante fotovoltaike, zgjerim të rrjeteve të transmetimit, avancimi në gazifikimin e vendit e deri tek synimi për të vënë në punë TEC-i i Vlorës që planifikohet të kushtojë 250 milionë euro.
BURIMI: SHQIPTARJA.COM
GAZETARE: ELIZA GJEDIKU