Dogji tri sipërfaqe toke ku rrezikoi banorët dhe një karburant, arrestohet 34-vjeçari në Tiranë

Një 34-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë së Tiranës pasi akuzohet se ka ndezur zjarr në tri sipërfaqe toke pranë autostradës TEG – Tiranë, duke rrezikuar jetën e banorëve dhe një karburant të ndodhur pranë zonës.

Ngjarja ndodhi pranë fshatit Mjull Bathore. Menjëherë pas njoftimit, në vendin e ngjarjes ndërhynë shërbimet e Komisariatit Nr. 1 dhe zjarrfikësja, të cilat bënë të mundur neutralizimin e flakëve dhe identifikimin e autorit.

Pas veprimeve hetimore, policia arrestoi shtetasin J. S., banues në Mjull Bathore.

Njoftimi i policisë:

Tiranë

Dogji tri sipërfaqe toke dhe rrezikoi jetën e banorëve në zonë dhe 1 karburant në afërsi, vihet në pranga 34-vjeçari.

Sapo janë njoftuar për një rast zjarrvënieje në afërsi të autostradës “TEG – Tiranë”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 shkuan në vendngjarje, për të kryer veprimet hetimore, me qëllim përcaktimin e autorësisë, si dhe për të mundësuar shuarjen e zjarrit, në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse.

Si rezultat i këtyre veprimeve u identifikua, u kap dhe u vu në pranga autori i dyshuar i këtij rasti, J. S., 34 vjeç, banues në fshatin Mjull Bathore.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Policia e Tiranës apelon për të gjithë qytetarët, që të mos ndezin zjarre, pasi reagimi i strukturave të Policisë do te jetë i menjëhershëm dhe në zbatim të sanksioneve të Kodit Penal. Gjithashtu, fton që të denoncohet menjëherë çdo indicie për këtë veprimtari kriminale, me qëllim që të parandalohet përshkallëzimi, si dhe të zbardhen menjëherë autorësia dhe rrethanat.