Dogji 10 hektarë tokë dhe 30 pemë ulliri, procedohet penalisht 60-vjeçari në Kavajë

Policia e Durrësit ka identifikuar personin e dyshuar që ka ndezur zjarr për djegien e degëve të pemëve të prera në pronën e tij, por flakët janë përhapur jashtë kontrollit.

Si pasojë, janë djegur 10 hektarë tokë arë dhe rreth 30 pemë ulliri në fshatin Helmës të Kavajës.

Sipas policisë ka nisur procedimi penal për shtetasin Y. T., 60vjeç pasi ka shkaktuar dëme të mëdha në mjedis dhe ekonomi bujqësore.

Policia ka ndërhyrë menjëherë pas njoftimit dhe ka nisur veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave. Bazuar në rezultatet e hetimit, janë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Durrësit, ku ka nisur procedimi penal ndaj shtetasit Y. T. për shkaktim zjarri nga pakujdesia.