Dodik: Vuçiç më njoftoi se INTERPOL-i refuzoi fletarrestimet ndaj meje dhe Stevandiçit
Presidenti i entitetit serb të Bosnjës e Hercegovinës, Millorad Dodik, ka deklaruar se INTERPOL-i nuk ka pranuar kërkesën e Gjykatës së Bosnjës për të lëshuar fletarrestime ndërkombëtare ndaj tij dhe Nenad Stevandiçit, kryetarit të Kuvendit Popullor të Republikës Sërpska.
Dodik njoftoi për këtë vendim përmes një postimi në X, ku tha se ishte informuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Ai falënderoi Vuçiçin dhe kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, për mbështetjen.
“Presidenti Aleksandar Vuçiç sapo më telefonoi për të më thënë se mori një njoftim nga Drejtoria e INTERPOL-it se ankesa e Serbisë ishte pranuar dhe se INTERPOL-i ka refuzuar kërkesën e Gjykatës së Bosnjës për të lëshuar njoftim të kuq për Stevandiçin dhe mua”, shkroi Dodik.
Gjykata e Bosnjës e Hercegovinës kërkoi më 27 mars fletarrestime ndërkombëtare ndaj dy liderëve të Republikës Sërpska, pasi ata nuk iu përgjigjën thirrjes së Prokurorisë së Përgjithshme të Bosnjës. Ata dyshohen për shkelje të rendit kushtetues të vendit.
Këtë njoftim, Dodik e bëri në ditën kur u takua me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në Moskë. Ndërkohë, një ditë më parë, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, tha se angazhimi i Serbisë kishte parandaluar zbatimin e fletarrestimeve.
Serbia kishte dërguar një notë proteste në INTERPOL, duke argumentuar se kërkesa për arrestimin e Dodikut dhe Stevandiçit kishte prapavijë politike dhe binte ndesh me statutin e organizatës.