Dodik largohet nga Bosnja, policia në alarm: Si dreqin e kaloi kufirin drejt Serbisë?
Policia boshnjake është vënë në alarm pas lajmit se Milorad Dodik, lideri i Republikës Srpska, ka kaluar kufirin drejt Serbisë, duke shpërfillur urdhrin e arrestit të lëshuar ndaj tij. Një gjykatë vendase kishte urdhëruar paraburgimin e Dodikut, si dhe të kryeministrit të Republikës Srpska, Radovan Vishkovic dhe presidentit të Parlamentit, Nenad Stevandic, pasi ata refuzuan t’i përgjigjen thirrjeve për t’u marrë në pyetje nga Prokuroria.
Fletë-arresti, i cili është i vlefshëm vetëm në Bosnje-Hercegovinë, detyron të gjitha agjencitë policore që të ndalojnë dhe të dorëzojnë Dodikun, Vishkovicin dhe Stevandicin në momentin që i ndeshin. Ky urdhër përfshin edhe policinë kufitare, e cila zakonisht ndalon dhe arreston individë të kërkuar gjatë kontrolleve të kalimit kufitar. Sidoqoftë, Dodik ka arritur të kalojë kufirin pa pengesa dhe të shfaqet në Beograd, ku mori pjesë në një tubim qeveritar së bashku me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç.
Ndërkohë, disa deputetë të Parlamentit Europian i kërkuan shefes së diplomacisë të BE-së, Kaja Kallas, të ndërmarrë masa të menjëhershme dhe të vendosë sanksione ndaj Dodikut për veprimet e tij që kërcënojnë integritetin e Bosnje-Hercegovinës dhe përpjekjet për ndarjen e Republikës Srpska.