Të tjera detaje tronditëse janë zbuluar rreth ngjarje tragjike në Greqi, ku shqiptari Kastriot Cenko, vrau gruan e tij, Alba Cenkon dhe e mbajti të fshehur për një javë në papafingon e banesës së tyre.
Pas mesazheve që 39-vjeçari i ka dërguar motrës së viktimës, kanë dalë në dritë edhe mesazhet që ai u ka dërguar djemve të tij, duke pretenduar se është nëna e tyre, e cila ishte e vdekur dhe e fshehur në papafingo të shtëpisë së tyre.
Fjala “baba” përmendet shumë herë në tekst, duke theksuar rëndësinë e rolit të tij pas vdekjes së nënës së fëmijëve.
Në mesazhet e zbuluara nga Protothema, 39-vjeçari u ka shkruar fëmijëve të tij, si të ishte nëna e tyre, dhe u ka thënë që po largohet nga ata dhe se është ndarë me të shoqin.
“Fëmijë, mami iku, mori rroba, një valixhe, unë jam në Patra dhe nuk do të kthehem më në shtëpi. Prandaj, ki kujdes për vëllain tënd dhe dëgjo babin. Kur mami të mbledhë para dhe të përgatisë letrat, do të kthehem të të marr me vete. Për momentin do të shkoj larg, dhe me babanë jam ndarë, ndaj dëgjojeni të mos zemërohet dhe kujdesuni. Unë do t’ju telefonoj kur të mundem sepse nuk mundem dhe nuk kam ofertë. Ok, mos u shqetësoni, do të jem mirë dhe do të të marr kur të mundem. Ty dhe vëllanë tënd”, ka shkruar Kastriot Cenko nga celulari i gruas së tij.
Në mesazhe ai këshillon fëmijët vazhdimisht të jenë të kujdesshëm dhe të dëgjojnë të atin.
“Kujdesuni dhe dëgjoni babin në rregull fëmijë. Kur të mbaroj letrat dhe të mbledh paratë, do të vij të të marr ty, por deri atëherë tregohu i mençur të dëgjosh babin dhe të kujdesemi për njëri-tjetrin. Të dua shumë, do të të telefonoj kur të mundem, ok dashuria ime .Tani nuk mund të flas. Do të jem mirë mirupafshim. Mos u shqetëso. Do të jem mirë mirupafshim. Edhe një gjë beb, babi nuk e di qe jam larguar, kur ai lexon mesazhin, i thoni do ta marr ne telefon qe te mos më marrë. Mirë? Ju puth”, është shkruar më tej në mesazhe.
“Zemër, meqë të thashë kur te mbledh leke për të rregulluar letrat do vij të marr ty dhe vëllain tënd. Mos u shqetësoni për këtë. Unë të dua shumë dhe do të të marr kur të mundesh, mirë fëmijë, lëre babin të thotë çfarë të dojë”, ka shkruar ai në mesazhe.
Dyshimet janë se krimi në familjen shqiptare ka ndodhur për shkak të xhelozisë së Kastriot Cenkos për bashkëshorten e tij 32-vjeçare.
Krimi ka ndodhur në banesën e çiftit në Ampelokipi, teksa dy djemtë të moshës 9 dhe 12-vjeç po flinin gjumë. Pasi ka mbështjellë trupin e gruas me çarçaf e ka vendosur në papafingo, ku e ka lënë për 1 javë derisa ditën e djeshme (5 Dhjetor) telefonoi policinë duke rrëfyer vrasjen.
Dyshohet se fillimisht e ka goditur gruan me çekiç në kokë dhe më pas e ka mbytur me duar.