“Do t’u marrim peng”, pamjet nga incidenti në lokalin e babait të kandidates së PS në Dajç

Tensionet politike në Lezhë kanë marrë një kthesë të fortë pas një incidenti të rëndë të ndodhur mbrëmjen e kaluar në fshatin Dajç, ku dy persona kanë kanosur me armë familjarët e Klotilda Ndrecës, kandidate për deputete e Partisë Socialiste.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:25 të datës 4 maj, në ambientet e jashtme të biznesit të babait të Ndrecës.

Sipas njoftimit të Policisë së Lezhës, shtetasit E. N. dhe D. N. raportuan se automjeti me të cilin po lëviznin ishte ndjekur nga dy mjete të tjera, dhe më pas ishin kanosur me armë nga personat që udhëtonin në ato automjete. Kanosja dyshohet të ketë lidhje me fushatën elektorale të motrës së tyre.

Pamjet e publikuara nga vendngjarja kanë rritur shqetësimin publik, ndërsa Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim dy autorë të dyshuar: Xhejson Seferaj, 27 vjeç dhe Ilirjan Gjoka, 40 vjeç. Ata akuzohen për veprat penale “Kanosja apo dhunimi i pjesëmarrësve në zgjedhje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori dhe po vijojnë punën për kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë.

 

Ky incident vjen në një moment të tensionuar të fushatës elektorale në Lezhë, ndërsa përfaqësues të Partisë Socialiste kanë denoncuar disa herë kërcënime dhe përhapje të akuzave të pabazuara nga kundërshtarët politikë. Autoritetet kanë premtuar hetim të thelluar dhe masa të forta për garantimin e një procesi zgjedhor të sigurt dhe të ndershëm.