Do të ekstradohet themeluesi i Wikileaks – Julian Assange?

Çështja e ekstradimit të themeluesit të Wikileaks në SHBA kalon në një raund tjetër, që është ndoshta i fundit. Deputetë të parlamentit gjerman flasin për një proces politik.

1776 ditë. Kaq ditë i bëhen Julian Assange në burgun britanik të sigurisë së lartë Belmarsh, kur këtë të martë (20.02.2024) fillon ndoshta seanca përfundimtare në ecejaket për ekstradimin e tij në SHBA. Edhe më parë themeluesi 52 vjeçar i platformës së zbulimeve Wikileaks nuk ka qenë në liri. Ai kaloi shtatë vjet i mbyllur në ambasadën e Ekuadorit në Londër, e cila i kishte ofruar atij azil. Sipas prokurorisë së SHBA-së ai do të dënohet me 175 vjet të tjera.

Seanca dëgjimore para Gjykatës së Lartë në Londër shqyrton çështjen: nëse i ka shteruar tashmë Assange të gjitha mjetet juridike kundër ekstradimit të tij në SHBA? Apo mund të vazhdojë të luftojë në gjykatat britanike?

Nëse Gjykata e Lartë e Drejtësisë hap rrugën për ekstradim, Assange mund të akuzohet dhe të dënohet në SHBA në bazë të të ashtuquajturit Espionage Act. Ky ligj hyri në fuqi para më shumë se njëqind vjetësh, për të dënuar tradhtarët dhe spiunët gjatë Luftës së Parë Botërore. Ai nuk është përdorur kurrë më parë kundër një gazetari. Akuza: vjedhje dhe publikim i materialeve sekrete nga operacionet ushtarake amerikane në Irak dhe Afganistan së bashku me informanten Chelsea Manning. Kjo gjë ka vënë në rrezik edhe jetën e informatorëve amerikanë, thonë autoritetet amerikane. Në vitin 2010 presidenti aktual i SHBA dhe ish- zëvendëspresidenti i atëhershëm, Joe Biden e quajti Assange një “terrorist të teknologjisë së lartë”.