“Do ta nxij jetën po s’më dhe 3 mijë euro” – Efektivi i burgut kërcënon dhe shantazhon të dënuarin! Gjyqtari ia kalon çështjen SPAK-ut

Një efektiv i burgut të Durrësit me inicialet G. Kushi është vendosur nën hetim për korrupsion, pas një denoncimi tronditës nga një i burgosur, që pretendon se është kërcënuar dhe shantazhuar për 3 mijë euro.

Rasti ka dalë në dritë pasi Gjykata e Posaçme ka urdhëruar që çështja t’i kalojë SPAK-ut për hetim të mëtejshëm, duke i konsideruar akuzat të një rëndësie të tillë që duhen trajtuar nga struktura antikorrupsion.

I burgosuri i quajtur Marius ka denoncuar pranë Prokurorisë së Durrësit se efektivi i ka kërkuar para në këmbim të trajtimit më të lehtë në institucionin e vuajtjes së dënimit. “Do ta nxij jetën këtu në burg, nëse nuk më jep 3 mijë euro”, mësohet t’i ketë thënë efektivi.

Madje, për të formalizuar kërkesën, polici dyshohet se i ka dorëzuar të dënuarit një letër të verdhë, me shkrim dore, ku kishte shënuar numrin e llogarisë bankare ku duhej të hidheshin paratë nga familjarët e të burgosurit.

Pas denoncimit, Prokuroria e Durrësit kreu një ekspertizë të shkrimit të dorës, dhe dyshimet ranë mbi efektivin Kushi, i cili më pas u akuzua zyrtarisht për korrupsion. Megjithatë, sipas të njëjtave burime, shuma nuk është paguar dhe presioni është ndërprerë me ndërhyrjen e autoriteteve.

Gjyqtari paraprak i Durrësit, Erjon Çela, pasi shqyrtoi dosjen, shpalli moskompetencën për trajtimin e çështjes dhe vendosi që aktet hetimore t’i kalojnë SPAK-ut. Ai argumentoi se kjo është një çështje që përfshihet në juridiksionin e gjykatës së posaçme antikorrupsion, duke urdhëruar që SPAK të vijojë hetimet dhe të marrë në mënyrë të drejtpërdrejtë të pandehurin.