Rama inspekton punimet në rrugën e Komanit: “Premtim i mbajtur, por kërkohet durim”
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një inspektim në kantierin e rrugës së Komanit, ku ka komunikuar me banorët dhe ka bërë disa batuta gjatë vizitës. Gjatë inspektimit, Rama theksoi se ndërtimi i rrugës është një premtim i mbajtur nga qeveria, pavarësisht vonesave të hasura gjatë procesit.
“Ne çfarë themi, e bëjmë, por duhet durim. Jo të gjitha mund të realizohen menjëherë, sepse dalin edhe pengesa të tjera. Tani i erdhi radha kësaj rruge, dhe do ta bëjmë shkëlqyeshëm,” tha Rama, duke thumbuar edhe opozitën me fjalët: “Ata kanë për detyrë të rrejnë, kush ta hajë ta hajë.”
Gjatë bisedës me banorët, një prej tyre iu drejtua kryeministrit me një batutë, duke thënë se “siç i ka bërë Kosova lapidarin Clinton, ti e meriton një të tillë.” Në përgjigje, Rama reagoi me humor: “Jo, jo, do ta lë me shkrim, edhe për së vdekmi jo. Për së gjalli e kam në dorë vetë sepse është ndërtim pa leje, por për së vdekmi në asnjë mënyrë.”
Kryeministri përsëriti rëndësinë e projektit dhe angazhimin për përfundimin e tij me standardet më të larta, duke siguruar banorët se investimi do të përmbushë pritshmëritë e tyre.