“Do jetë procesi i shekullit” – Avokati i Metës: Hetim politik, të pandehur duhet të ishin funksionarë të LSI! Kërkojmë hetime shtesë

Avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani, ka reaguar pas përfundimit të hetimeve nga SPAK ndaj ish-Presidentit, duke i cilësuar akuzat të pabazuara, të motivuara politikisht dhe të fabrikuara për të larguar vëmendjen nga problemet reale të vendit. Ai e quajti procesin ndaj Metës si një nga më të rëndësishmit në historinë e drejtësisë shqiptare: “Ky do të jetë procesi i shekullit”.

Sipas avokatit, SPAK ka ngritur tri akuza ndaj Metës: korrupsion pasiv i funksionarëve të zgjedhur, pastrim i produkteve të veprës penale dhe fshehje të të ardhurave, por ai këmbënguli se asnjë prej këtyre akuzave nuk qëndron.

“Janë tre akuza: korrupsioni pasiv i funksionarëve të zgjedhur, pastrimi i produkteve të veprës penale dhe fshehje të të ardhurave. Akuzat nuk qëndrojnë. Ato janë shpjeguar edhe gjatë fazës hetimore, kur ai është marrë në pyetje. Ai pretendon, dhe me të drejtë, se hetimet përfunduan në mënyrë të përshpejtuar, pas zgjedhjeve, pikërisht kur po diskutohet për terrorizimin e votës. Është një përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga problematikat zgjedhore”, deklaroi Cakrani.

Avokati i ish-Presidentit theksoi gjithashtu se një numër i madh funksionarësh të mëparshëm të Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) – sipas tij, me përgjegjësi konkrete – janë lënë jashtë dosjes dhe nuk janë hetuar.

“Shumë persona të tjerë, që kanë qenë pjesë e LSI-së, duhet të ishin sot të pandehur dhe jo zoti Meta. Sot ata janë të lirë dhe ushtrojnë funksione publike. Kjo është padrejtësi e qartë”, tha ai.

Cakrani paralajmëroi gjithashtu se mbrojtja do të shfrytëzojë të gjitha të drejtat ligjore që i jep ligji procedural, përfshirë edhe paraqitjen e kërkesave për hetime shtesë, nëse do të evidentohen mangësi në dosjen hetimore. Ai shtoi se do të kërkohet edhe marrja në pyetje e dëshmitarëve që kanë dijeni për çështjen.

“Pasi të njihemi me aktet, do paraqesim pretendimet tona. Nëse ka mangësi në hetime, do kërkojmë hetime shtesë dhe pse jo, edhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve që kanë dijeni për rrethanat e faktit. Ky proces do të vazhdojë dhe do të jetë procesi i shekullit”, përfundoi avokati Kujtim Cakrani.