“Do bëj punën time”, Meloni e vendosur kundër Gjykatës: Bllokoj emigracionin e paligjshëm

Kryeministrja e Italisë, Georgia Meloni ka reaguar në lidhje vendimin e Gjykatës në Rome, kundër ndalimit të emigrantëve që u sollën në Shqipëri.  Ajo thotë se respekton rolet, por do vazhdojë të bëjë punën e saj, për të ndaluar emigracionin e paligjshëm.

Kryeministrja e Italisë thekson ndër të tjera se nuk i intereson konflikti as me drejtësinë dhe me askënd tjetër, duke shprehur vendosmëri për të çuar përpara marrëveshjen me Shqipërinë.

“Qeveria respekton rolet, por do të ecë përpara për të bllokuar imigracionin e paligjshëm. Nuk më intereson asnjë konflikt me drejtësinë, përkundrazi, nuk dua asnjë konflikt me askënd por duhet të jem në gjendje të bëj punën time, duhet të jem në gjendje të mbaj angazhimin që kam bërë me italianët. Besoj te shteti dhe institucionet dhe duhet të ketë bashkëpunim mes institucioneve. Do ec përpara për emigracionin dhe do bëj gjithçka që është e mundur për ta ndalur emigracionin e parregullt, pavarësisht nëse i pëlqen apo jo të majtës”, deklaroi Meloni.

Duke folur për vendimin e drejtësisë, Meloni u shpreh se ‘Borsellino është ideja që kam për gjyqësorin në Itali, për njerëzit që kanë bërë më të mirën dhe janë sakrifikuar për të mirën e kombit’.

“Më intereson të respektoj rolet, por me të njëjtën qetësi them se i konsideroj disa vendime të një pjesë të gjyqësorit, e cila në fakt duke u përpjekur të kalojë parimin se nuk ka shtete të sigurta të origjinës për emigrantët, rrezikon të përjashtojë çdo mundësi për kontrollin e kufijve, për më tepër duke i bërë të pamundur riatdhesimet edhe për ata që kryejnë krime”, u shpreh Meloni.