‘Djemtë e mi do humbasin shansin të bëhen futbollistë’, trafikanti shqiptari kërkon të mos deportohet nga Britania
Një shtetas shqiptar i dënuar për trafik droge në Itali ka tentuar të shmangë deportimin nga Britania e Madhe duke pretenduar se largimi i tij do të shkatërronte të ardhmen e dy djemve të tij, të cilët synojnë të bëhen futbollistë profesionistë. Por kërkesa e tij u refuzua nga Gjykata e Lartë britanike.
Elis Lila, 40 vjeç, hyri ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2016, pasi më herët kishte jetuar në Itali dhe më pas ishte kthyer përkohësisht në Shqipëri. Në Itali, ai ishte dënuar me 11 vite burg për përfshirje në një rrjet ndërkombëtar të trafikut të drogës, para se të arratisej.
Në përpjekje për të shmangur ekstradimin në Itali, Lila argumentoi se deportimi do të përbënte shkelje të të drejtës për jetën familjare, të mbrojtur nga Neni 8 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (ECHR). Ai theksoi se dy djemtë e tij kishin “potencial të madh” për t’u bërë futbollistë profesionistë dhe se mungesa e tij si prind do të ndikonte rëndë në përparimin e tyre. Sipas tij, djali i madh ishte “në prag të një burse” nga një klub i Premier League-s.
Avokatët e Lilës pretenduan se mbështetja e përditshme e babait ishte thelbësore për zhvillimin e talenteve të fëmijëve. Megjithatë, gjykata i rrëzoi argumentet duke theksuar se Lila ishte i vetëdijshëm për dënimin ndaj tij në Itali dhe për rrezikun e ekstradimit, përpara se të vendosej në Britani dhe të ndërtonte jetën familjare atje.
Gjykatësi britanik, Mr. Justice Mould, theksoi se bashkëshortja e Lilës, e cila jeton me tre fëmijët në Mbretërinë e Bashkuar, ka treguar forcë dhe aftësi përballjeje dhe do të jetë në gjendje të përballojë përkohësisht mungesën e bashkëshortit të saj. Ai pranoi se ndikimi në jetën familjare do të ishte i ndjeshëm, por theksoi se “kjo nuk e përjashton domosdoshmërinë e ekstradimit”.
Rasti i Elis Lilës është një ndër shumë të tjerë që, sipas The Telegraph, janë zbuluar kohët e fundit, ku kriminelë të dënuar apo emigrantë të paligjshëm përpiqen të shmangin deportimin duke u mbështetur në ligjet për të drejtat e njeriut. Qeveria britanike po shqyrton mundësinë e rritjes së pragut për t’u dhënë leje qëndrimi përmes nenit 8, për të parandaluar abuzimin me këtë të drejtë.
Në vitin 2021, një gjykatë në Westminster kishte vendosur ekstradimin e Lilës në bazë të pesë urdhër-arresteve evropiane. Ai e apeloi vendimin, por edhe apeli i tij u refuzua. Pas dështimit për të bindur edhe Gjykatën e Lartë në mars 2025, ai tashmë përballet me ekzekutimin e ekstradimit në Itali për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.