Djegia e fushës së mbetjeve të Inceneratorit në Elbasan, kontrolle në banesën e Leli Kajës dhe 13 zyrtarëve të tjerë

 

Prokuroria dhe policia e Elbasanit kanë kryer një sërë kontrollesh mëngjesin e kësaj të hëne në zyra dhe banesa të personave që kanë lidhje me inceneratorin.

Kontrollet janë ushtruar në 14 zyra dhe banesa në kuadër të hetimeve që po kryhen për zjarrin e rënë në fushën e mbetjeve vitin e kaluar.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se kontrolle janë ushtruar dhe në banesën e administratorit të kompanisë publike të landfillit Elbasan, “Eco-Elb”, Leli Kaja.

Kontrollet janë përqendruar tek administratorë, drejtorë dhe mbikëqyrësve të kontratave, përfshirë disa zyrtarë dhe nën kryetarë në 7 bashkitë e qarkut të Elbasanit, të cilat janë aksione të kompanise “ECO-ELB”.

Prokuroria ka dyshime për shpërdorim detyre, ndotje të mjedisit dhe vjedhje gjatë administrimit të inceneratorit dhe landfillit. Burimet thanë se gjatë kontrolleve janë sekuestruar disa celularë dhe dokumente.

Procedimi penal nisi një vit më parë, pas një zjarri masiv që përfshiu landfillin në vitin 2024. Në vijim të hetimeve për zjarrvënie, prokuroria e Elbasanit ka zbuluar elemente që lidhen me abuzime në menaxhimin e impiantit.