“Djali nuk më kthehet”, nëna e Martin Canit: Ministrja nuk erdhi të më ngushëllojë

Florina Cani nëna e Martin Canit kërkon drejtësi për vrasjen e të birit. Në një intervistë për Opinion ajo tha se ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu as nuk e ka ngushëlluar, por edhe familja e autorit.

“Nuk kemi folur dhe mua me duket sikur çdo gjë po manipulohet. Ashtu po e mendoj sepse nuk po zbardhet asnjë gjë. U bë fiks një muaj sot. Çdo gjë zbardhet brenda tre ditëve e shumta. Asnjë përgjigje. Edhe dje kam dalur në protestë kam bërtitur. Nuk jep askush përgjigje. Thjesht një ministre, thjesht një mësues pse mos të japin një dorëheqje. Ishte një gjak fëmije. A kanë zemër këto?! Nuk e di se si të shprehem, më fal nëse them ndonjë fjalë. Ajo ministre të mos vijë të më ngushëllojë mua. Mos të vijë ajo të më thotë Florina ngushëllime për Martinin, po del edhe qesh aty me tre tjera. Jo kjo nuk është e drejtë! Nuk u mbajt as një minutë heshtje për Martinin. Martini ishte 14 vjeç nuk i bëri gjë askujt. Martini iku i pafajshëm. Mos të reflektojë edhe familja tjetër. Ne jemi njerëzor, si fëmija ime edhe i atij. Unë nuk kam thënë as gjysmë fjale për fëmijën e atij. As nuk kam kontaktuar, por tani për mua është shumë vonë. Unë dua drejtësi. Fëmija im nuk kthehet, por të vihet drejtësi, aq sa t’i takojë. Për mua të marrë dënimin maksimal.” tha ajo.