Divorci Meta-Kryemadhi/ Çifti i njohur i politikës ballafaqohet në gjykatë pas 25 vitesh martese! Ja kur është caktuar data e seancës
Ish-Presidenti Ilir Meta dhe deputetja Monika Kryemadhi do të përballen në gjykatë për zgjidhjen e martesës së tyre. Seanca gjyqësore është caktuar për më 21 Shkurt në orën 10:30 në Gjykatën e Tiranës. Pas më shumë se 25 vitesh martesë, ata kanë vendosur të ndahen, një vendim që Meta e konfirmoi në Qershor të vitit të kaluar.
Në një mbledhje të Partisë së Lirisë, Meta shpjegoi se kriza në marrëdhënien e tyre filloi pas vendimit të Kryemadhit si kryetare e LSI për djegien e mandateve, një hap që, sipas tij, krijoi një hendek të thellë mes kauzave të tij dhe të saj. Ai mohoi spekulimet për një lidhje me një grua tjetër, duke theksuar se vendimi i tij ishte për një kauzë më të madhe.
Nga ana tjetër, pas arrestimit të Metës, Kryemadhi shprehu ndjesitë e saj duke thënë se, megjithë dashurinë për të, ajo nuk e kishte menduar ndarjen, por gjithsesi pranoi se nuk mund ta mbante më këtë marrëdhënie. Ata kanë pasur një periudhë të gjatë pa komunikim, dhe kohë pas kohe kanë jetuar në vende të ndryshme.