Divorci me Ilir Metën? Monika Kryemadhi thyen heshtjen: Fajtor edhe Lulzim Basha
Procesi i divorcit mes Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit tërhoqi vëmendjen e të gjithëve.
Deputetja e PL, Kryemadhi është shprehur se as ajo vetë nuk është e qartë përse Ilir Meta kërkoi divorcin, teksa hedh aludime se sipas saj shkak mund të ketë qenë djegia e mandateve të deputetëve në vitin 2019.
Në atë periudhë, Kryemadhi drejtonte LSI-në, pasi Ilir Meta ishte President i Republikës.
Sa i përket djegies së mandateve, që mesa duket ka prekur edhe martesën e saj, deputetja Kryemadhi bën fajtor edhe Lulzim Bashën si drejtues i opozitës në atë kohë.
“Me sa kam dëgjuar ka qenë djegia e mandateve. Ilir Meta ka qenë në Gjermani, mandatin do ta digjja vetëm unë, ndërkohë pjesa tjetër e kërkuan edhe ata. Mos harrojmë edhe garancinë që erdhi nga z.Basha që do dilte Kancelarja gjermane në atë kohë, do ishte ajo që do mbështeste opozitën në djegien e mandateve për të çiar vendin…sepse ishin disa procedura që për hir të së vërtetës kishin ndodhur shumë shkelje ligjore në mënyrë flagrante nga mazhoranca në atë kohë dhe e vetmja mënyrë në atë kohë që ishte reaguese ishte edhe djegia e mandateve për të vendosur në një pozicion me shpatulla pas muri Edi Ramën. Që faktikisht vendosi Edi Rama opozitën me shpatulla pas muri.
“Kjo është konfliktet politike që çuan drejt një pamundësie të bashkëjetesës familjare.
Meta ka ditur vetëm për mandatin tim. Z.Basha në atë kohë dhe jo vetëm Basha por dhe shumë anëtarë të PD, deputetë apo ish-deputetë që janë sot tek z.Berisha apo në PD, kanë qenë njerëzit kryesorë të cilët kanë mbajtur kontaktet me CDU-në në atë kohë. Unë kam qenë për hyrje në zgjedhjet lokale, por gjithë ambienti politik thoshte mos hyjmë. CDU ishte ajo që i kërkoi Ilir Metës në atë kohë të bënte ndryshimin e datës së zgjedhjeve lokale. Ka pasur ndërhyrje nga jashtë për djegien e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve. Se si ka qenë kjo ndërhyrje, kjo është për t’u parë që për mua kërkon investigim zyrtar. Kjo do t’i vijë në një kohë të dytë. Në këndvështrimin tim, sjellja e z.Basha ishte e shitur,” tha Kryemadhi në emisionin Opinion.