“Dita më e errët për Vancouver”/ Tragjedia me 11 viktima dhe dhjetëra të plagosur, kryetari i Bashkisë paralajmëron thellim të bilancit: Shumë në gjendje kritike
Një tragjedi e rëndë ka tronditur qytetin e Vancouverit, ku një automjet u përplas me turmën gjatë një festivali, duke shkaktuar të paktën 11 viktima dhe dhjetëra të plagosur.
Në një konferencë për shtyp, kryetari i Bashkisë së Vancouverit, Ken Sim, e cilësoi këtë ditë si “ditën më të errët” për qytetin dhe komunitetin filipinas, i cili ishte pjesë e festimeve. “Familja juaj është edhe familja jonë”, u shpreh Sim, duke shprehur ngushëllime të thella për familjet e prekura nga kjo tragjedi.
Kryetari i Bashkisë falënderoi shërbimet e emergjencës për reagimin e shpejtë dhe profesional dhe njoftoi se ka urdhëruar një “rivlerësim të plotë” të masave të sigurisë për eventet publike, duke përfshirë barrierat dhe menaxhimin e trafikut. “Vancouver mbetet një qytet i sigurt”, theksoi ai, duke inkurajuar qytetarët të vazhdojnë me aktivitetet e tyre të planifikuara.
Bilanci i tragjedisë është i rëndë: 11 viktima të moshave nga 5 deri në 65 vjeç, ndërsa dhjetëra të plagosur po marrin trajtim mjekësor, shumë prej tyre në gjendje kritike. Ende ka persona të papidentifikuar mes viktimave.
Autoritetet kanë arrestuar një 30-vjeçar, i cili ndodhet në paraburgim. Kryetari Sim deklaroi se, sipas hetimeve paraprake, nuk ka të dhëna që të sugjerojnë një akt terrorizmi. Ai sqaroi se i dyshuari ka një histori të gjatë me probleme të shëndetit mendor dhe ka pasur ndërveprime të shumta të mëparshme me policinë.
“Problemet e shëndetit mendor duket se janë shkaku kryesor i kësaj tragjedie,” tha Sim, duke theksuar nevojën për ndryshime thelbësore në mënyrën si trajtohen dhe mbështeten individët me probleme të tilla.
Në përmbyllje, kryebashkiaku konfirmoi se do të kryhet një hetim i plotë për të zbardhur shkaqet e plota të ngjarjes dhe për të përmirësuar masat e sigurisë në të ardhmen, në mënyrë që tragjedi të tilla të shmangen.