Dita Kombëtare e Rinisë, Presidentit Begaj: Nder përjetë studentëve të dhjetorit
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka bërë një urim për Ditën Kombëtare të Rinisë.
“34 vjet më parë, studentët progresistë shqiptarë ndryshuan rrjedhën e historisë së Shqipërisë.
Lëvizja popullore që rrëzoi diktaturën dhe çoi në lindjen e pluralizmit, nisi dhe u frymëzua nga studentët.
Lëvizja e Dhjetorit ‘90 ishte ndezja e flakës së një populli në kërkim të lirisë, demokracisë dhe vlerave perëndimore.
Më 8 Dhjetor, Ditën Kombëtare të Rinisë, ne nderojmë lëvizjen e brezit të studentëve që rrëzuan diktaturën dhe festojmë shpirtin rinor të brezave që do ta çojnë gjithnjë përpara Shqipërinë.
Sot, të gjithë frymëzohemi nga akti qytetar dhe politik i dhjetorit ‘90 për të bërë realitet aspiratën e shprehur në thirrjen epike: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!” Nder përjetë! ” shkruan Begaj.