Dita e dytë e homazheve për Kryepeshkopin Anastas, Mitsotakis udhëheq delegacionin qeveritar grek me 5 ministra në Tiranë

Pas arritjes në tokën shqiptare të arkëmorit me trupin e pajetë të Kryepeshkopit Anastas, homazhet për nder të tij janë zhvilluar me dinjitet dhe respekt të lartë.

Arkëmorti mbërriti në Shqipëri mëngjesin e djeshëm, përmes pikës së kalimit kufitar të Kakavijës, ku u zhvillua një ceremoni e nderimit të parë. Më pas, arkivoli iu drejtua Gjirokastrës, ku homazhet vazhduan në kishën ortodokse me pjesëmarrjen e dhjetëra besimtarëve. Këtë të diel, arkëmorti mbërriti në Tiranë, ku besimtarët dhe autoritetet shtetërore priten me lule dhe degë dafine, simbole të paqes dhe mirësisë.

Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, homazhet vazhduan me një pjesëmarrje masive të besimtarëve, që nderuan jetën dhe punën e Kryepeshkopit, i cili ndroi nga jeta mëngjesin e së shtunës, në spitalin “Evangelismos” në Athinë. Kambanat e kishës ranë gjatë gjithë kortezhit, duke shprehur dhimbjen dhe respektin për kreun e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.

Në ditën e dytë të homazheve, pritet një pjesëmarrje e madhe, me të ftuar të rëndësishëm nga vendi dhe jashtë. Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis do të marrë pjesë në ceremoninë mortore, i shoqëruar nga pesë ministra të kabinetit të tij. Pjesëmarrës do të jenë gjithashtu të gjitha mitropolitët e Kishës Ortodokse në Shqipëri, përfaqësues të ambasadave të huaja në vendin tonë, si dhe delegacione të larta nga Vatikani dhe kishat ortodokse të botës, përfshirë Patriarkun e Izraelit, Aleksandrisë dhe Qipros.

Homazhet janë një moment reflektimi për jetën dhe veprën e Kryepeshkopit Anastas, i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm në ringritjen dhe konsolidimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë pas periudhës së regjimit ateist. Ai u zgjodh Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në vitin 1991, nga Patriku i Kostandinopojës, dhe ka udhëhequr kishën për më shumë se 30 vjet, duke e ringritur atë nga shkatërrimi i shkaktuar nga persekutimi i gjatë komunist.

Në nderim të Kryepeshkopit Anastas, janë shpallur 5 ditë zie kishtare, si një simbol i respektit dhe mirënjohjes për kontributin e tij të madh për kishën dhe për Shqipërinë. Pas ceremonisë mortore, trupi i Kryepeshkopit Anastas do të përcillet për në banesën e fundit në një ceremoni që do të zhvillohet më 30 janar, në orën 11:00.

Në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, si pasardhës i Kryepeshkopit Anastas, është zgjedhur mitropoliti i Korçës, Imzot Joani, i cili do të udhëheqë këtë institucion fetar në periudhën e re. Jeta dhe puna e Kryepeshkopit Anastas do të mbeten të paharruara për besimtarët dhe për ata që kanë njohur angazhimin e tij të palodhur në rindërtimin dhe forcimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Ai ka lënë një trashëgimi të fuqishme, e cila do të vazhdojë të jetojë në misionin dhe veprën e Kishës që ai udhëhoqi.

Në përvjetorin e tij të fundit, Kryepeshkopi Anastas shprehu fjalët e tij të fundit, të cilat përmbledhin gjithë jetën dhe misionin e tij: “Ky është kontributi më i madh që kam dhënë, një kontribut teologjik për të ndihmuar Kishën të rizbulojë kush është në të vërtetë. Është një kontribut jete. Pozicioni im teologjik ka qenë gjithmonë të jetoj në misterin e një Kishe të Shenjtë, të Përgjithshme dhe Apostolike. Të jetoj misionin e Kishës në këndvështrimin e saj të saktë universal dhe eskatologjik. Për mua nuk mjaftonte t’i jepja diçka Perëndisë, duhej t’i jepesha plotësisht Atij. Doja që e gjithë qenia ime të jetonte në Krishtin.”