Ministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, ka dhënë detaje të reja lidhur me tragjedinë që ndodhi në diskotekën e Koçanit, ku humbën jetën 59 persona dhe mbi 150 të tjerë u plagosën. Toshkovski ka konfirmuar se më shumë se 20 persona janë të dyshuar për incidentin, ndërsa 15 prej tyre janë shoqëruar në komisariat për hetime të mëtejshme.
Mes të arrestuarve janë ish-sekretari shtetëror i Ministrisë së Ekonomisë, një drejtues sektori në të njëjtën ministri, një ish-drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, dhe tre punonjës të drejtorisë. Ministri theksoi se disa nga të arrestuarit kanë qenë organizatorë të ngjarjes, disa janë persona të sigurisë dhe disa janë përfshirë në aktivitete të tjera. Ai gjithashtu konfirmoi se diskoteka që shpërtheu në zjarr nuk kishte licencë të ligjshme operimi.
Tre të mitur humbën jetën dhe mbi 20 të mitur u plagosën, ndërsa 22 persona janë në gjendje kritike. Hetimet janë në vazhdim për të zbuluar të gjithë të përfshirët dhe shkaqet e këtij incidenti tragjik.