Disiplina merr masa te Egnatia, gjobit, pezullon dhe kyç stadiumin e Flamurtarit
Periudha e pushimeve për shkak të duelit të kombëtares në Varshavë ka përfunduar për Komisionin e Disiplinës pranë FSHF-së.
Në mbledhjen e fundit, Disiplina vendosi të pezullojë me katër ndeshje presidentin e Egnatias, Agim Demrozin. Numri 1 i klubit rrogozhinas ka qënë tepër kritik ndaj vendimeve të gjyqtarëve në barazimin 1-1 përballë Teutës, duke marrë kështu përjashtim nga 4 duelet e radhës të skuadrës së Egnatias.
Me 6 ndeshje pezullim është dënuar edhe drejtori i klubit, Klejdi Zenelaj, teksa për hedhjen e sendeve të forta në fushë nga ana e tifozëve, Egnatia u gjobit me 200 mijë lekë.
Në fokusin e Komisionit të Disiplinës ishte edhe dueli i kategorisë së parë mes Flamurtarit dhe Dinamos, që solli një atmosferë aspak të bukur për fushën e blertë. Zyrtarët kryeqytetas, Indrit Skrela dhe Ermal Barushi janë pezulluar me nga dy ndeshje, ndërsa dorë më e rëndë ka qënë për Flamurtarin.
Në radhët e vlonjatëve u dënua me dy ndeshje sulmuesi Andi Ribaj, zyrtari Alfred Ferko, ndërsa administratori Sinan Idrizi me 4 ndeshje pezullim. Dorë e rëndë edhe për trajnerin e shkarkuar, Marcello Troisi, që në rast se merr drejtimin e një skuadre shqiptare do drejtojë nga tribuna dy ndeshje e para. Për klubin, 200 mijë lekë gjobë dhe zhvillimin pa tifozë të 6 sfidave të mbetura deri në fund të sezonit.