Disfatë në Dortmund, Shqipëria doli e mposhtur ndaj Italisë në Euro 2024

Mbi 50 mijë tifozë shqiptarë nuk i kanë mjaftuar kombëtares kuqezi për të shmangur humbjen kundër Italisë. Në një atmosferë elektrizuese dhe e ndezur akoma dhe më shumë nga ky gol i Bajramit, kombëtarja jonë doli e mposhtur 2-1 ndaj kampionëve në fuqi të Kompeticionit nga impianti i “Signal Iduna Park” në Dortmund. Mesfushori kapi të papërgatitur mbrojtjen kundërshtare pas 23 sekondash lojë për të kaluar në epërsi 1-0 Shqipërinë. Një avantazh që nuk zgjati shumë, pasi Axurrët falë edhe eksperiencës në këto nivele arriti që të përmbys gjithçka në harkun e 15 minutave lojë.

Në të 11-ën, Bastoni u gjend në momentin e duhur dhe vendin e duhur për të gjetur topin e krosuar nga këndi dhe shënuar në portën e Strakoshës. Barazim që u duk se befasoi jo pak kombëtaren kuqezi. Në të 16-ën, Barela lëshoi një goditje potente nga jashtë zonës për të shënuar edhe golin që përmbysi dhe vulosi fatin e kësaj sfide. Në minutat e mbetura, dy skuadrat tentuan me të gjitha format për të ndryshuar rrjedhën e lojës, por që nuk mjaftuan për të shmangur humbjen për kombëtaren tonë. Tashmë fokusi do të zhvendoset në sfidën e radhës, atë të 19 qershorit kundër Kroacisë. Rival me të cilin qëndrojmë në vendin e tretë dhe të katërt me 0 pikë pas një ndeshje, ndërsa grupi kryesohet nga Spanja dhe Italia me 3.