Diplomohen 200 studentë te Akademia e Sigurisë, Çuçi: Mos u përkulni përballë krimit


Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka marrë pjesë sot në ceremoninë e diplomimit të 200 studentëve që i bashkohen Policisë së Shtetit dhe 400 të rinjve të tjerë që nisin shkollën në Akademinë e Sigurisë. Në fjalën e mbajtur para tyre, Çuçi tha se ky diplomim përkon me dy momente të rëndësishme.

“E para, sot Policia e Shtetit është një ndër institucionet më të besueshme në vend, e konfirmuar kjo edhe nga partnerët tanë që monitorojnë dhe masin vlerësimet e publikut. E dyta, ne kemi nisur një fazë transformimi dhe investimesh si asnjëherë më parë në Policinë e Shtetit për ta modernizuar më tej këtë trupë. Nuk është kurrsesi e rastësishme që Policia e Shtetit të gëzojë një besim kaq të lartë në sytë e publikut, por fryt i punës dhe përkushtimit të jashtëzakonshëm që bëjnë kolegët tuaj në të gjitha nivelet e kësaj organizate. Nuk është rastësi as ambicia jonë për të modernizuar Policinë e Shtetit përmes investimeve në teknologji, por ky plan që kemi nisur të zbatojmë është pjesë e vizionit tonë #Shqipëria2030 në fushën e sigurisë”, tha Çuçi.
Ai përmendi gjithashtu edhe rritjen e pagave për punonjësit e Policisë së Shtetit, si një vendim plotësisht i merituar dhe që do të ketë impakt në performancën e punës së kësaj organizate. Çuçi përmendi edhe binjakëzimin e Akademisë së Sigurisë me Akademinë Italiane të Policisë.