Diogo Jota përcillet në banesën e fundit, Liverpool nderon familjen me gjestin fisnik
Në qytetin Gondomar, pranë Oportos, u mbajtën funeralet e futbollistit të Liverpool-it, Diogo Jota, i cili humbi jetën tragjikisht në një aksident automobilistik së bashku me vëllain e tij André Silva. Në ceremoninë mortore morën pjesë shumë ish-shokë skuadre dhe futbollistë, përfshirë kapitenin Van Dijk dhe trajnerin e Liverpool-it, Arne Slot, si dhe trajnerin e Portugalisë, Roberto Martinez.
Lojtarët e Liverpool-it hynë në kishë duke mbajtur një kurorë me lule në formën e fanellës me numrin 20 të Jota-s. Ndër të pranishmit ishin gjithashtu Bernardo Silva, Ruben Neves, Robertson, Fabinho, Cancelo dhe shumë të tjerë, duke shprehur respektin e tyre për sulmuesin portugez.
Në një hap fisnik dhe human, klubi i Liverpool-it ka vendosur të paguajë pjesën e mbetur të kontratës së Jota-s për dy vitet e ardhshme, që arrin në rreth 21.8 milionë paund bruto (rreth 7.28 milionë paund në vit). Kjo nismë synon të mbështesë familjen e futbollistit në këtë periudhë të vështirë, duke treguar solidaritet dhe përkushtim që tejkalon fushën e lojës.