Detaje të reja kanë dalë në lidhje me atentatin me armë zjarri në Memaliaj, ku mbetën të vrarë tre persona. Replikë mëson se ngjarja e rëndë ndodhi në lokalin e vëllait të viktimës Shyqyri Kalemi 74 vjeç që ishte dhe shënjestra e atentatit. Gjithashtu të vrarë mbetën edhe Marsel Çela 47 vjeç dhe Gledio Muka 36 vjeç që janë përkatësisht kamarieri dhe klienti, në lokalin ku u qëllua me breshëri armësh. Ndërsa shënjestra, Shyqyri Kalemi është babai i Andrea Kalemit, i njohur edhe si Tiku Kalemi, i përfshirë në vrasjen e biznesmenit Edmond Papa në dhjetor të 2022. Ndërsa i plagosur ka mbetur Artur Kalemi 57 vjeç (vellai i Shyqyri Kalemit), i cili ndodhet në gjendje të rëndë.
Mësohet se autorët kanë qenë me një makinë ttip BMW e zezë. Kanë ardhur nga qendra e Memaliajt dhe kanë shkuar drejt lokalit pranë bashkisë. Njëri ka zbritur nga makina dhe ka qëlluar me breshëri kallashi drejt shënjestrës Shyqyri Kalemi që ishte ulur në një tavolinë me vëllain e tij, Artur Kalemi. Si pasojë e të shtënave kanë humbur jetën edhe dy personat e tjerë.
Më pas autorët janë larguar drejt Mallakastrës, ku në fshatin Bejaj kanë djegur edhe mjetin e përdorur në krim.